Liverpooli e ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pasi fitoi 2-0 edhe në ndeshjen e kthimit ndaj RB Leipzigut që u zhvillua në Puskas Arena.

Po në Budapest ishte zhvilluar edhe sfida e parë, të cilën skuadra angleze e kishte fituar me rezultat 2-0 dhe pas takimit të dytë, ‘Të Kuqtë’ vazhdojnë tutje në garën më të madhe evropiane për klube.

Diogo Jota i pati disa raste për Redsat në fraksionin e parë, për të cilët rrezikuan edhe Mohamed Salah e Trent Alexander-Arnold.

Në anën tjetër, mundësi kishin edhe Dani Olmo, Kevin Kampl e Emil Forsberg, për ekipin gjerman, porse skuadrat shkuan në pushim me rrjetat e paprekura.

Alexander Sorloth rrezikoi me kokë në gjysmën e dytë për Leipzigun, mirëpo goditja e tij shkoi mbi portë.

Kur zhvillohej minuta e 71-të, Mohamed Salah e zhbllokoi rezultatin. Egjiptiani e nisi aksionin nga mesi i fushës dhe kombinoi me Diogo Jotan, i cili ia dhuroi edhe asistimin.

Shumë shpejt u realizua edhe goli i dytë nga Sadio Mane (74’), i cili u asistua nga Divock Origi.

Në këtë mënyrë, Liverpooli vazhdoi në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm prej 4-0.