Franca e ka eliminuar Poloninë me rezultat 3-1 nga Kampionati Botëror, duke kaluar kështu në çerekfinale.

Ndeshja nisi me mjaft kujdes nga të dyja ekipet, duke kërkuar të kalonin në epërsi sa më parë.

Ishte minuta e 21-të e takimit, kur polakët rrezikuan me anë të Robert Lewandowskit, por goditja e tij përfundoi jashtë.

Nëntë minuta më vonë, Gjelat rrezikuan përmes Olivier Giroud, mirëpo edhe gjuajtja e tij shkoi jashtë.

Në minutën e 38-të, Hugo Lloris bëri një pritje sensacionale, duke i mohuar golin Piotr Zielnskit.

Goli i epërsisë për Francën u shënua në minutën e 44-të, kur Kylian Mbappe asistoi te Giroud, që realizoi për 1-0.

Sulmuesi u bë me këtë gol golashënuesi më i mirë në histori të Francës, duke kaluar Thierry Henryn (51), me 52 gola të shënuara.

Në 45 minutat e dyst, ishin sërish francezët që dominuan, ndërsa polakët tentuan të përfitonin nga ndonjë gabim i tyre.

Ishte minuta e 66-të e takimit, kur Giroud kishte mundësinë që të shënonte golin e tij të dytë dhe të dyfishonte epërsinë për Francën, por që goditja e tij përfundoi jashtë.

Mirëpo, për golin e dytë të tre kolorëve u përkujdes Kylian Mbappe (74’), që realizoi për 2-0, duke shtuar edhe më shumë siguri në skuadrën e tij.

Deri në fund, francezët nuk u ndalen me kaq, dhe ylli i Paris Saint-Germain realizoi një tjetër super gol, tani në minutën e 90+1-të.

Por, polakët fituan një penallti në minutën e 90+7-të, të cilën e goditi fillimit Robert Lewandowski, por që Hugo Lloris kishte dalë jashtë porte dhe u dashtë që të përsëritej.

Sulmuesi i Barcelonës ia doli që në herën e dytë ta fuste topin në rrjetë, për rezultatin final 3-1.

Në çerekfinale, Franca do të përballet me fituesin e duelit mes Anglisë dhe Senegalit, që fillon nga ora 20:00.