Porto dhe Interi kanë luajtur pa gola (0-0) në Estadio do Dragao në ndeshjen kthyese të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.

Nerazzurrët fituan me rezultat minimal (1-0) në Giuseppe Meazza dhe pas sfidës kthyese janë kualifikuar në çerekfinale të garës më të madhe për klube.

Vendasit bënë më shumë përpjekje në gjysmën e parë duke rrezikuar përmes Mateus Uribe, Stephen Eustaquio e Evanilson, megjithatë nuk u treguan të saktë.

Në fraksionin e dytë, skuadrat luajtën fort por nuk kishin shumë raste.

Në minutat shtesë Porto goditi dhe një shtylle dhe një traversë por pa arritur të shënojë.

Pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit, rrjetat heshtën.

Në këtë mënyrë, Interi vazhdon në çerekfinale të Ligës së Kampionëve falë rezultatit nga ndeshja e parë.