Sezoni i bukur i Napolit është kompletuar me kualifikimin e parë në histori të klubit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Partenopei fitoi me rezultat 2-0 në ndeshjen e parë si mysafir i Eintracht Frankfurtit dhe pas fitores edhe në sfidën kthyese (3-0) në ‘Stadio Diego Armando Maradona’, ka vazhduar tutje në garën elitare evropiane të futbollit me rezultat të përgjithshëm prej 5-0.

Vendasit dominuan me raste në gjysmën e parë përmes Matteo Politano, Victor Osimhen e Khvicha Kvaratskhelia, por nuk pati gola deri në minutat shtesë të fraksionit të parë.

Politano pranoi një top në krahun e djathtë dhe harkoi në zonë, ku e priste i lirë Osimhen që kërceu dhe realizoi me kokë (45’+2).

Pak minuta brenda pjesës së dytë, Victor Osimhen e dyfishoi epërsinë (53’) kur në portë të zbrazët e nxori Giovanni Di Lorenzo.

Nikoqirët nuk u ndalën me kaq. Ata shënuan edhe një gol tjetër përmes Piotr Zielinski, i cili ishte i saktë nga pika e bardhë (64’).

Ky është kualifikimi i parë i Napolit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa në historinë e klubit e ka fituar vetëm një trofe evropian, atë të Kupës UEFA në sezonin 1988/1989, kur legjenda Diego Armando Maradona ishte pjesë e Partenopei.