Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka shkuar në 23 numri total i personave të prekur nga koronavirusi në Shqipëri. Janë konfirmuar dy personat e djeshëm të dhënë si të dyshuar nga Best Channel.
Janë dy të rinj mbi 30 vjeç të ardhur nga Milano. Njëri me banim në lagjen 5 Maj, tjetri në pallatet përgjatë bulevardit në qendër të Elbasanit. Këta dy të rinj kishin ardhur prej një jave nga Italia, por vetëm të hënën kishin shfaqur shenjat e para. Ka shqetësim për lëvizjet dhe takimet e tyre gjatë kësaj jave.
Komunikata zyrtare e Ministrise:
“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 145 raste për COVID-19 dhe në total janë në total 298 raste të testuara. Deri në këto momente 23 raste kanë rezultuar pozitiv për COVID-19”, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë.
5 nga personat e prekur ndodhen në spitalin Infektiv në Tiranë (3 rastet nga i identifikuari i parë me COVID-19, një rast tjetër, 31-vjeçari me banim në Tiranë, me histori udhëtimi me Italinë dhe një grua 45-vjeçare nga Rrogozhina, me histori udhëtimi me Italinë). Gjendja e tyre deri në këto momente është e stabilizuar. Ndërsa 18 raste të tjera (në total) që kanë rezultuar pozitiv janë të vetëizoluar në shtëpi pa probleme të veçanta.
Shpërndarja e rasteve të konfirmuara me COVID-19 është si vijon:
Tiranë – 16 raste
Durrës – 3 raste (njëra prej të cilave ka ndërruar jetë)
Lushnje – 1 rast
Elbasan – 2 raste
Rrogozhinë – 1 rast
Të gjitha rastet kanë pasur histori udhëtimi me Italinë.
Dy rastet e reja të Durrësit janë pacientë që kanë patur kontakt me spitalin, 73-vjeçaren që ndërroi jetë, por nuk kanë shenja të sëmundjes dhe janë të vetëizoluar në shtëpi. Lidhur me mjekët dhe infermierët e Durrësit 50 testet nga kampioni i parë i kryer në Durrës rezultuan negativë.