Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur marrëveshjen për koalicionin qeverisës.

Këtë e konfirmoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit që pati me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidatin për kryeministër, Avdullah Hoti.

“Arritëm marrëveshje për koalicionin qeverisës, pra për krijimin e qeverisë së re. Kosovën e presin plot sfida, e sfida e parë është gjendja me pandeminë, me të gjitha këto pasoja që ka shkaktuar, sidomos ekonomisë së vendit. Jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë por kemi besim se të gjitha këto sfida që e presin Kosovën do t’i kalojmë bashkë me punë”, tha ai.

Haradinaj njoftoi se partia e tij do t’i udhëheqë katër ministri në qeverinë e ardhshme.

Ministrat e AAK-së në qeverinë e re:

  • -Zëvendëskryeministër, Besnik Tahiri.
  • -Ministre e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj,
  • -Ministër i Drejtësisë, Selim Selimi.
  • -Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi.
  • -Ministri i Arsimit, Ramë Lika.

Haradinaj tha gjithashtu se fokusi për këtë vit do jetë rimëkëmbja ekonomike dhe procesi i demarkacionit me Malin e Zi, pasi janë gjetur gabime nga marrëveshja paraprake.