Adriano ka folur për kanalin e Interit duke treguar edhe një herë tjetër lidhjen me ngjyrat zikaltër.
“Interi është pjesë e jetës sime, është familja ime, një klub që e dua dhe e mbështes gjithmonë. Për një djalë të lindur në një lagje në Brazil, disa gjëra mund të duken të pamundura. Falë futbollit munda t’i dhuroja një jetë më të mirë familjes sime, munda të udhëtoja nëpër botë… ishte gjithçka në jetën time”, – është shprehur “perandori” që ka vazhduar duke treguar momentet që i kanë lënë shenjë në karrierë.
“Kam jetuar shumë momente të bukura këtu. Nëse mbyll sytë, goli që shoh sërish është ajo gjuajtja e lirë në “Bernabeu” më 14 gusht 2001, thonë se topi shkoi me 170 km/h…. Është e paharrueshme për mua, siç është goli në finalen e Kupës së Amerikës 2004 kundër Argjentinës: ai gol i shënuar në minutën e 93-të na lejoi të barazojmë dhe më pas të fitojmë me penallti dhe mbetet një kujtim i pashlyeshëm”, – tha ish-sulmuesi i Interit.