Altin Dumani është zgjedhur në krye të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion me pesë vota pro, pas seancës rreth gjashtë orë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Edvin Kondili mori katër vota, kurse Adnan Xholi arriti të merrte vetëm një votë.

Altin Dumani siguroi votat e Bujar Sheshit, Eloida Goxhajt, Zeqir Hodës, Arta Mandronit dhe Ledina Rizës.

Edvin Kondili mori votat e Tartar Bazajt, Nurihan Seitajt, Mirela Bogdanit dhe Alfred Ballës. Kurse Adnan Xholi mori vetëm votën e Sokol Stojanit.

Dumani tashmë do të marrë timonin e drejtimit të SPAK, duke zëvendësuar Arben Krajën.

Për rreth gjashtë orë Altin Dumani, Edvin Kondili dhe Adnan Xholi bënë prezantimet e tyre para trupës së KLP-së, ku treguan eksperiencat dhe objektivat e tyre.

Për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, KLP-ja vlerësoi shtatë kritere tek kandidatët për këtë pozicion: eksperienca në ndjekjen dosjeve sensitive të korrupsionit dhe krimit të organizuar, eksperiencën dhe aftësitë në organizimin dhe drejtimin e një strukture, eksperiencën në hartimin e miratimin e rregulloreve administrative, eksperiencën në çështje të cilat kanë marrë vëmendje të lartë publike dhe ndërveprim me median, aftësitë në drejtimin të burimeve njerëzore, vizionin për drejtimin e SPAK si dhe imazhin që ka në publik si prokuror.

Kush është Altin Dumani?

Altin Dumani është prokurori i SPAK i cili udhëhoqi operacionin që çoi në pranga 13 persona, mes të cilëve edhe ish-gjyqtaren e Gjykatës së Krujës Enkeleda Hoxha, e cila lironte ‘të fortët” nga qelia.

Altin Dumani ka lindur në Shupenzë të Dibrës dhe vjen nga radhët e Prokurorisë së Apelit. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha.

Ka një karrierë prej 21 vitesh si prokuror, ndërsa në mars të vitit 1999 ai mori për herë të parë detyrën si prokuror në Sarandë. Ai u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000.

Ai bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit të vitit 2008.