Mesfushori portugez i Sporting Lisbonës, Bruno Fernandes, (1994) është duke udhëtuar në Mançester të Anglisë të mërkurën për ta kompletuar transferimin e tij në Manchester United.

Bruno Fernandez do t’i kryejë testet mjekësore në qendrën sportive të Manchester Unitedit, para se të nënshkruajë kontratë katërvjeçare e gjysmë për ta kompletuar transferimin nga Sporting Lisbona.

Manchester Unitedi do t’i paguajë fillimisht 46.6 milionë stërlina (55 milionë euro) për portugezin, ndërsa me bonuse çmimi i tij mund ta arrijë shumën për 67.8 milionë stërlina, (80 milionë euro) nëse ai i arrin disa synime të caktuara gjatë kohës së tij në Old Trafford.

Sportingu u detyrua t’i ulë kërkesat dhe ta pranojë një çmim më të ulët për Fernandesin, ndërsa Manchester Unitedi ishte i lumtur ta arrijë atë shumë përmes bonuseve.

Manchester Unitedi ishte interesuar ta transferojë portugezin edhe gjatë verës së kaluar, mirëpo vendosi të mos e transferojë atë, përkundër që ai i shënoi 33 gola në 53 ndeshjet e tij për Sportingun sezonin e kaluar.

Fernandes e ka vazhduar formën e mirë edhe këtë sezon, duke i shënuar 15 gola në 28 paraqitjet e tij këtë sezon, si dhe duke ndihmuar me 14 asiste.