Paris Saint-Germain ka arritur të fitojë me rikthim 2-1 ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Atalantas të zhvilluar në Estadio da Luz të Lisbonës së Portugalisë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të PSG-së, pasi francezët krijuan më shumë raste, por ishte vetëm Atalanta që gjeti golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 27-të të ndeshjes dhe ishte Mario Pasalic, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Duvan Zapata.

PSG pati raste të mira me anë të Neymar (3’, 28’, 42’), por braziliani ishte i pasaktë dhe pjesa e parë u mbyll me epërsinë e klubit italian.

Pjesa e dytë nisi me një agresivitet dhe nervozizëm nga të dyja skuadrat, të cilat morën nga dy kartonë të verdhë brenda dhjetë minutave lojë.

Në vazhdim, ndeshja i takoi francezëve, të cilët patën diçka më shumë nga loja në tentim të barazimit të rezultatit dhe vazhdimit të ëndrrës.

Rastet më të mira në këtë pjesë i patën Berat Gjimshiti (58’) dhe Kylian Mbappe (74’), por pa arritur t’i gjejnë rrjetat.

Megjithatë, kur ndeshja pritet të përfundonte, ashtu nuk mendoi edhe PSG që befasoi të gjithë me dy gola të shpejta dhe fitoi ndeshjen.

Marquinhos (90’) barazoi gjithçka 1-1, Maxim Choupo-Moting (90+) shënoi për fitoren e madhe 1-2 të PSG-së.

Në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, PSG do të përballet me fituesin e ndeshjes RB Leipzig-Atletico Madrid që do të zhvillohet të enjten mbrëma me fillim nga ora 21:00.