Fluksi i emigrantëve në vendet fqinje nga vendet e lindjes pas hapjes së kufirit nga Turqia ka vënë në lëvizje autoritetet shqiptare që po planifikojnë ngritjen e qendrave të pritjes.
Paraprakisht nga ana e institucioneve është përllogaritur përballimi i pritjes për 30 mijë refugjatë.
Për këtë situatë janë angazhuar Emergjencat Civile, Policia e Shtetit, Ministria e shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes, ndërsa është diskutuar dhe angazhimi i mjekëve apo mjeteve të logjistikës nga institucione të tjera.
Konkretisht është menduar që në Pocest të Korçës të strehohen 5 mijë persona, në Kranë të Sarandës rreth 1 mijë, në Arshilengo të Gjirokastrës rreth 5 mijë, në Gjadër të Lezhës rreth 5 mijë si dhe në Elbasan nga 5 deri në 10 mijë persona.
Pikat e pritjes dhe grumbullimit do të jenë në Kakavijë, Sopik, Qaf Botë, Rrips, Tre Urat, Leskovik, Shtikë, Kapshticë, vendstrehime të vendosura pranë pikave kufitare që lidhin Shqipërinë me Greqinë.
Akomodimi i emigrantëve që vijnë nga Greqia do të bëhet në Korçë, Sarandë dhe Gjirokastër, ndërsa emigrantët që kapen në territorin shqiptar mendohet të kryhet në Elbasan. Ne qytetin e Elbasanit ehste percaktuar zona e NSHU si vendodhja e banesave.
Aktualisht në kufirin e gjelbër me Greqinë, janë ngritur 2 qendra pritëse, një në Korçë dhe një në Gjirokastër.
Kriza e refugjateve u rihap pak ditë më parë kur Turqia hapi kufirin për të lejuar rrugëtimin e refugjatëve sirianë drejt vendeve të BE-së, ndërkohë që menjëherë pas këtij veprimi Greqia dhe Bullgaria deklaruan se kishin forcuar masat në kufi.
Qendrat e pritjes dhe kampingjeve për emigrantët:
Korçë, Pocest afërsisht 5000 persona
Sarandë, Krane afërsisht 1000 persona
Gjirokastër, Arshilengo afërsisht 5000 persona
Në Gjadër/Lezhë, afërsisht 5000
Në Elbasan 5000 – 10000 persona