Bajerni i Mynihut ka nisur të mendojë që tani për sezonin e ardhshëm. Drejtori Hasan Salihamixhiç është duke punuar për të sjellë në Mynih lojtarë cilësorë. Trajneri Flik i ka kërkuar boshnjakut Kai Havercin (1999) dhe Leroi Sanenë (1996). Dy lojtarë gjermanë që do të ishin një armë plus për Bajernin e ri.

Kai Haverc është një nga lojtarët më të mirë në Gjermani. Mesfushori që luan për Bajer Leverkusenin kërkohet nga shumë skuadra të mëdha, si Reali i Madridit, Çelsi, Mançester Siti dhe Bajerni i Mynihut. Lojtari ka edhe një vit kontratë me klubin e “Aspirinave”, por nëse një ofertë 100-milionëshe do të vinte këtë merkato për të, atëherë Leverkuseni nuk do ta refuzonte. Rudi Fëler, drejtori teknik, tha se Kai do të largohet këtë verë ose tjetrën pa asnjë dyshim. Ai thjesht nuk ka vendosur se ku.
Por, “Bild” zbulon se talenti gjerman kërkon t’i bashkohet Bajernit pasi do të luajë me shokët e tij gjermanë me të cilët luan edhe në kombëtare.

Pep Guardiola, trajneri i Mançester Sitit, tha se Leroi Sane nuk do të luajë më në Angli. “Ai është një lojtar i lirë nëse klubi merr paratë që kërkohen për të. I kemi ofruar disa herë rinovimin, por ai nuk ka pranuar. Nuk mund të mbaj në ekip lojtarë që s’duan të jenë pjesë e klubit”, tha Guardiola duke lënë të nënkuptohej se largimi i anësorit të majtë do të ishte thjesht çështje kohe. Bajerni ka më shumë se një vit që e ndjek atë dhe, sipas mediave gjermane, klubi bavarez dhe lojtari kanë rënë me kohë dakord.