Që në stadiumet shqiptare mungon infrastuktura, kjo dihet nga të gjithë, madje shihet mjaft qartë në ndeshjet e fundjavës ku menjëherë vihen në pah fushat plot me baltë, apo edhe gjendja skandaloze e stadiumeve.

Por, së fundmi, në stadiumin e Erzenit të Shijakut ka ndodhur një ngjarje totalisht e paprecedentë gjatë ndeshjes Erzeni-Besëlidhja, e cila për pak solli pasoja katastrofale.

Një prej lojtarëve të lezhjanëve ka rënë në kontakt me rrymën elektrike. Bëhet fjalë për futbollistin serb, Milan Djordevic, i cili ishte në dush kur ka ndodhur kjo ngjarje.

Menjëherë autoambulanca është afruar dhe është futur brenda në stadium dhe ka marrë lojtarin, i cili më pas është dërguar në spital. Ndërhyrja në kohë e stafit mjekësor ka bërë që Djordevic t’ia hedhë paq dhe gjendja e tij është stabilizuar

Vetë lojtari për “Panorama Sport” u shpreh:

U futa në dush për t’u larë dhe më zuri korrenti. Më goditi shumë, në fakt, por erdhi autoambulanca dhe ndërhynë direkt. Më vendosën oksigjen fillimisht sa ishte aty, më pas kur shkuam në spital, bëra edhe serum. Tani jam mirë, u nisa edhe drejt Lezhës. Për fat, mbeti me kaq”.