Mbyllet pa fitues beteja e parë gjysmëfinale e Kupës së Italisë mes Juves dhe Interit
Juventusi dhe Interi janë ndarë baras (1-1) në sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë në ndeshjen e zhvilluar në Allianz Stadium.

Gjysma e parë e Derby d’Italia nuk prodhoi gola, megjithëse rastet nuk munguan. Angel Di Maria pati një prej rasteve të para, por goditja e tij përfundoi jashtë.

Në minutat në vijim pati një situatë të dyshimtë për penallti për mysafirët, mirëpo pas konsultimit të VAR-it, gjyqtari Davide Massa konfirmoi se nuk ishte njëmbëdhjetëmetërsh.

Henrikh Mkhitaryan pati një nga mundësitë e parë të gjysmës së dytë, derisa më vonë Arkadiusz Milik nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 83-të kur pas një harkimi në zonë, Juan Cuadrado erdhi nga plani i dytë i pamarkuar dhe goditja e tij e devijuar përfundoi në portë.

Në minutat shtesë, Bremer e preku topin me dorë në zonë dhe gjyqtari akordoi penallti. Romelu Lukaku ishte i saktë nga pika e bardhë (90’+5).

Në fund karton të verdhë për Lukakun që ishte i dyti dhe doli me të kuq dhe kartona të kuq edhe për Handanovic e Cuadrado që u zunë në tunel

Rezultati i barabartë nënkupton se do të ketë një gjysmëfinale të dytë të zjarrtë në Giuseppe Meazza në datën 26 prill kur do të vendoset nëse Juventusi apo Interi do të vazhdojë në finalen e 24 majit në Romë.