Mblidhen rreth 400 milionë lekë në Elbasan. Dy biznese japin nga 100 milionë. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, theksoi sot se “vetëm nga shifrat që dhanë disa prej sipërmarrësve këtu në 30 minuta në Elbasan u mblodhën 300-400 milionë lekë. Kjo është diçka që vetëm ne shqiptarët dimë ta bëjmë dhe e bëjmë shumë mirë”.
Në takimin e organizuar sot në Elbasan nga komunitetet fetare, sipërmarrësit, njerëzit e thjeshtë, njerëzit e politikës, të artit, sportit, të cilët u bënë bashkë për të dhuruar ndihmë. “Kësaj thirrje për solidaritet i janë përgjigjur shumë sipërmarrje siç e shikoni vazhdojnë të regjistrohen sipërmarrës që nuk duan të dalin në filmim, por duan të kontribuojnë dhe kjo është një gjë shumë e mirë dhe dua t’i siguroj edhe njëherë që portali dhe llogaria e garantuar nga ana e qeverisë është tërësisht e besueshme. Është i vetmi kanal ku mund të kontribuosh realisht për familjet per rikonstruksionin e plotë”, – tha Balla.
Sipas tij, pas tragjedisë, pas goditjes së tmerrshme të tërmetit dhe shkatërrimit të shtëpive dhe ndërtesave fillon procesi i rikonstruksionit.
“Ende qeveria nuk ka një faturë totale të dëmeve, por të jeni të sigurtë që çdo qindarkë që dhurohet do të përdoret me shumë kujdes dhe transparencë. Vetëm nga shifrat që dhanë disa prej sipërmarrësve këtu në 30 minuta në Elbasan u mblodhën 300-400 milionë lekë. Kjo është diçka që vetëm ne shqiptarët dimë ta bëjmë dhe e bëjmë shumë mirë”-, nënvizoi Balla.
Balla tha se “është rastësi pa dyshim, që në dy ditë të rëndësishme të kombit tonë të ditës së pavarësisë dhe të ditës së çlirimit këto janë dy ditë solidariteti kombëtar. Pra 28 dhe 29 u kthye në dy ditë solidariteti dhe është diçka që do lejë gjurmë se një tragjedi e tillë unë në moshën time nuk e kisha parë ndonjëherë për kombin tim dhe Shqipërinë”.
I pyetur nëse qeveria ka parashikuar ndonjë lehtësim për bizneset që po kontribuojnë për familjet e prekura nga tërmetin, Balla tha se “solidariteti nuk është biznes, taksat që paguan biznesi një pjesë e mirë e tyre në buxhetin e vitit 2020 do të përdoret për kantieret rikonstruktuese. Nëse i heqim taksat sot nuk do të kemi para për të mbuluar shpenzimet nesër”.
Balla u shpreh se “pas këtij takimi do jem në llixha, ku kemi më shumë shtretër që kemi akomoduar shumë familje të Durrësit që janë paraqitur dje dhe sot përmes një organizimi shumë të mirë të bashkisë Elbasan janë akomoduar në hotelet e asaj zone por edhe në hotelet e Elbasanit”.
“Kjo është një fazë fillestare e kontributit, qëllimi ynë është që asnjë familje të mos rrijë në çadër, çdo familje të jetë e akomoduar në hotel. U thashë ne kemi marrë dje një vendim, e kemi bërë efektive sepse kemi depozituar në Kuvend njoftimin tek financa, që paga e këtij muaji shkon e gjitha për familjet. Ne përveç se të japim vetë kontribut duhet të luajmë një rol shumë të rëndësishëm për sensibilizim të biznesit, të shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit”, – tha Balla.
Per t’u përmendur që Administratori i kompanisë Rozafa, Gjergj Luca dhe Vullnet Sina, deputet i PS, pronar i Big Market dhanë nga 100 milione lekë.