Kreu i Këshillit Kërkimor Evropian, shkencëtari i lartë Mauro Ferrari ka dhënë dorëheqjen në mes të krizës me pandeminë e Covid-19.
Ai u zgjodh ne kreu të këtij institucioni janarin e këtij viti, por dha dorëheqje pasi nuk bindi dot Brukselin për një program të veçantë për luftën ndaj Covid-19.
Ferrari, një pionier italiano-amerikan i nanomjekësisë, tha se ftohja e tij me Komisionin Evropian filloi në fillim të marsit “pasi u bë e qartë se pandemia do të ishte një tragjedi me përmasa ndoshta të pashembullta”.
Ai propozoi atëherë të krijonte një program të veçantë për të luftuar Covid-19.
“Mendova se në një kohë si kjo, shkencëtarët më të mirë në botë duhet të pajisen me burime dhe mundësi për të luftuar pandeminë, me ilaçe të reja, vaksina të reja, mjete të reja diagnostikuese, qasje të reja dinamike të sjelljes bazuar në shkencë, për të zëvendësuar intuitat e improvizuara të liderëve politikë,” tha ai.
Por Këshilli Shkencor i KKE-së, organi drejtues i këtij institucioni, njëzëri e hodhi poshtë idenë, me arsyetimin se kompetenca e tij i lejon vetëm të financojë studimin “nga poshtë-lart” të propozuar nga shkencëtarët, sesa programe më të mëdha “nga lart-poshtë” me objektiva të vendosur nga liderët e BE-së.
“Unë argumentova se nuk ishte koha që qeverisja shkencore të shqetësohej shumë për hollësitë e dallimeve midis kërkimit nga poshtë-lart kundrejt kërkimit nga lart-poshtë”, tha Profesor Ferrari, i cili kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij si studiues i shquar i kancerit në SH.B.A.
Ai tha se kishte një shans të dytë kur zonja Von der Leyen e pyeti për pikëpamjet e tij për adresimin e pandemisë. Ai pastaj hartoi një plan “në të cilit ajo kontribuoi me direktiva të konsiderueshme”.
“Fakti që kam punuar drejtpërdrejt me të, krijoi një stuhi të brendshme politike,” tha Ferrari. “Propozimi u kalua në shtresa të ndryshme të administratës së Komisionit Evropian, ku besoj se u shpërbë pas ndikimit.”
Një zëdhënës i Komisionit shprehu mirënjohje për punën e Profesor Ferrarit, dhe shprehu keqardhje për dorëheqjen e tij “në këtë fazë të hershme të mandatit të tij”. Komisioni planifikon të krijojë një komitet kërkimi për zëvendësimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur.
Zëdhënësi i këtij Këshilli u shpreh se kishte 50 projekte në vazhdim ose të përfunduara të ERC duke kontribuar në përgjigjen ndaj Covid-19.
Pandemia ka shkaktuar tensione brenda bllokut dhe ka çuar në kritika se disa vende të BE-së nuk kanë arritur të bashkëpunojnë ose të tregojnë solidaritet me ata që u goditen më shumë nga koronavirusi.
Janez Lenarcic, komisioneri i BE-së për menaxhimin e krizave, tha të martën se vendet anëtare fillimisht nuk kishin ofruar ndihmën e nevojshme për Italinë pasi numri i vdekjeve atje u rrit.
“Kishte një përgjigje të papërshtatshme ndaj kërkesës italiane për ndihmë nga vendet e tjera anëtare të BE”, u tha ai gazetarëve në Bruksel të martën, pasi zbuloi një plan për të dërguar mjekë dhe infermierë nga Rumania dhe Norvegjia në Itali. “Por gjërat kanë ndryshuar tani.”
Me marrëveshjen e Komisionit, Profesori Ferrari mbetet profesor me kohë të pjesshme në Shkollën e Farmacisë të Universitetit të Uashingtonit në Seattle. Ai planifikon që tani të krijojë një nismë ndërkombëtare kërkimore për të luftuar Covid-19 në SH.B.A.