Partizani i është bashkuar Tiranës në kreun e renditjes së Superiores, pasi ka mundur me rezultatin e pastër 3-0 Erzenin. Një fitore e qartë e të kuqve në një ndeshje që e ka luajtur që nga fillimi me një futbollist më pak.

Maget u ndëshkua me karton të kuq që në minutat e parë të sfidës, pas një faulli në mesfushë. Por edhe pse me 10 futbollistë, të kuqtë nuk i lejuan hapësira Erzenit. Përkundrazi, dukej sikur ishin ata në epërsi numerike duke shtyrë shijakasit në gjysmëfushën e tyre, me miqtë që rrallëherë u shfaqën në zonë apo tentuan portën e Rexhepit.

Megjithatë, goli do të vinte vetëm me një goditje dënimi perfekte të Rrapajt në fundin e pjesës së parë, teksa në fillimin e të dytës ishte Da Silva ai i cili dyfishoi shifrat, duke bërë më të thjeshtë takimin për ekipin kryeqytetas. Goli i Hotit pak minuta pasi kishte hyrë në fushën e lojës vulosi gjithçka dhe i dha tre pikë të arta Partizanit që duket se ka lënë pas krahëve krizën e rezultateve.

PARTIZANI – ERZENI 3-0:
45’+1′ Rrapaj, 46′ Da Silva, 71′ Hoti