Një tjetër pacient humb jetën në spitalin Infektiv duke e çuar në 18 numrin e pacientëve që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi COVID. Viktima është një 67 vjeçar nga Tirana

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 29 raste të reja duke e çuar në 333 numrin e të infektuarve në total në të gjithë Shqipërinë.

“Ju informojmë se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një pacient 67 vjecar nga Tirana, i konfirmuar me COVID. Pacienti ishte i shtruar prej 13 ditësh në spitalin infektiv, prej 6 ditësh ishte i intubuar dhe në hemodializë që e kryente brenda spitalit Infektiv. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 67 vjecari ka ndërruar jetë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes të të ndjerit. Deri tani 18 persona kanë ndërruar jetë nga COVID-19 në Shqipëri” informoi Dr. Marjeta Dervishi Instituti i Shëndetit Publik.

Në 24 orët e fundit janë testuar 216 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 29 raste të reja me COVID-19.
Deri në këto momente janë testuar 2247 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 333 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Elbasan Has, Lushnje, Kavajë, Lezhë, dhe Shkodër.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 157 raste
– Durrës 33 raste
– Lushnje 5 raste
– Elbasan 9 raste
– Fier 25 raste
– Kavajë 8 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 16 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 31 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 1 rast
– Has 9 raste
– Krujë 5 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 4 raste
– Mirditë 3 raste