Anglia e ka mposhtur me lehtësi Uellsin me rezultatin 3-0 në ndeshjen e raundit të fundit të fazës grupore në Kampionatin Botëror.

Para ndeshjes së zhvilluar në stadiumin Ahmed bin Ali, asnjëra nga skuadrat nuk e kishte siguruar pjesëmarrjen në fazën tjetër, edhe pse Tre Luanët ishin në situatë më të mirë.

Sidoqoftë, të zgjedhurit e Gareth Southgate nuk lejuan asnjë befasi dhe e siguruan kualifikimin në 1/8 e finales nga vendi i parë në Grupin B.

Gjysma e parë nuk prodhoi gola, ndërsa pak minuta brenda pjesës së dytë, Marcus Rashford e zhbllokoi rezultatin (50’).

Mesfushori i Manchester Cityt, Phil Foden, mori një top nga Harry Kane dhe e dyfishoi epërsinë (52’).

Edhe një tjetër gol në këtë takim e realizoi sulmuesi i Manchester Unitedit, Marcus Rashford (58’), asistues ishte Kalvin Phillips.

Në tri ndeshjet e grupit Anglia ka arkëtuar 7 pikë dhe kualifikohet në 1/8 e finales së Kampionatit Botëror si lider i Grupit B, derisa Uellsi mbetet në fund me vetëm 1 pikë.

SHBA-të kanë shënuar fitore ndaj Iranit me rezultat 1-0 në kuadër të ndeshjes së tretë të fazës së grupeve, triumf që ua mundëson amerikanëve të kalojnë në mesin e 16-të më të mirave.

Ndeshja nisi me të dy skuadrat që kishin kujdes, por me amerikanët që ishin më kërkues, pasi iu duhej fitorja.

Zhvillohej minuta e 38-të, kur Sergino Dest harkoi në zonë, duke e gjetur Christian Pulisicin, i cili nga afër shënoi për 1-0.

Amerikanët shënuan edhe golin e dytë në kohën shtesë, por Timothy Weah ishte në pozitë jashtë loje.

Pjesa e dytë ishte e fortë, por edhe me shumë ndërprerje pasi që asnjëra skuadër nuk lëshuan asnjë metër.

Edhe pse kishte raste më të mirat erdhën në fund, kur Yonus Musah i SHBA-ve ishte në rast të mirë, por nuk gjuajti.

Në anën tjetër në kohën shtesë Irani ka mundur të barazojë në minutën e 93-të, por gjuajtja me kokë e Morteza Pauraliganji shkoi ngjitur me shtyllën.

SHBA-të pas kësaj fitoreje me pesë pikë kalojnë tutje nga pozita e dytë, me dy më pak se Anglia që e mbylli si e para me shtatë pikë.

Irani me tri pikë mbeti i treti, ndërsa Uellsi me një pik e mbylli në vendin e fundit.