Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, thotë se Kushtetuta e Kosovës e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër.
Përmes një postimi në facebook Kurti thote se pas përfundimit të pandemisë me koronavirus duhet të shkohet në zgjedhje të reja.
Porsa të mbarojë pandemia Covid-19 – të cilën duhet ta luftojmë të gjithë bashkë duke mbështetur dhe ndihmuar e jo duke penguar a sabotuar qeverinë në detyrë – ne duhet të zbresim te populli si burim sovraniteti, për zgjedhje të reja, të lira e demokratike”. shkruan Kurti
Kurti thote se ka dallim thelbësor ndërmjet situatës kur kryeministri dorëhiqet nga posti i tij dhe asaj kur Kuvendi voton mocion mosbesimi ndaj qeverisë.
“Në rastin e parë kemi mungesë vullneti ose aftësie të vetëdeklaruar nga kryeministri i cili largohet. Në rastin e dytë qeveria dhe kryeministri janë në detyrë, nuk ka vakuum deri në zgjedhjet e reja, andaj edhe stabiliteti e funksionimi shtetëror nuk cenohen. Pra, në rastin e dytë e që është ky yni tani, nevojitet Kuvend i ri për qeveri të re”..
Mocioni i mosbesimit i 25 marsit 2020 ishte i llojit destruktiv: synonte rrëzimin e qeverisë. Kaq. Nuk ishte mosbesim konstruktiv me ç’rast Kuvendit do t’i paraqitej njëkohësisht edhe një ofertë e re për qeveri të ardhshme. Vota PËR me 25 mars 2020 ishte asgjë më shumë sesa votë KUNDËR. Si e tillë ajo shkëputi lidhjen pushtet-popull. E vuri qeverinë në pyetje në mënyrën ku populli (dhe jo Kuvendi) jep përgjigje. Kuvendi e rrëzoi qeverinë në Kuvend. Qeveria në detyrë qeveris.” vijon Kurti prandaj “Para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Presidenti duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve për të gjithë”
Më 25 mars, Kuvendi i Kosovës me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim votoi për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do të mbajë konsultime me partitë politike lidhur me krijimin e një qeverie të re.