Barcelona ka fituar me rezultat minimal 1-0 në udhëtim te Girona në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të La Liga.

Ekipi i Xavit ka vazhduar formën e mirë edhe në kampionat, duke marrë fitoren e radhës dhe duke ngritur diferencën me Real Madridin e vendit të dytë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të ashpër nga të dyja skuadrat, por më të mirë të katalunasve, të cilët krijuan më shumë raste për gol.

Megjithatë, portat mbeten të paprekura dhe ajo qe vlen të përmendet janë katër kartonë të verdhë në 45 minuta.

Në pjesën e dytë, u zhvilluar lojë më e barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat krijuan nga disa raste, por vetëm mysafirët ishin konkret duke tundur rrjetën.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 61-të me anë të Pedrit, i cili shënoi nga afërsia për 0-1.

Pas këtij goli, vendasit patën diçka më shumë nga loja duke gjetur rrjetën me anë të Arnau Martinez (65’), por gol që u anulua për pozitë jashtë lojë.

Në dy raste tjera dështuan ta tundin rrjetën dhe Barcelona mori fitoren.

Me këtë fitore, Barcelona e sheh veten në pozitën e parë me 47 pikë apo gjashtë më shumë se Real Madridi i dyti, ndërsa Girona renditet e 12-ta me 21 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, katalunasit udhëtojnë te Real Betisi, ndërsa Girona e pret Valencian.