Barcelona ka marrë 3 pikë të plota në triumfin 4-1 ndaj skuadrës së fundit në La Liga, Huesca.

Në ndeshjen, në të cilën Lionel Messi e barazoi rekordin e përgjithshëm të Xavit për numrin e paraqitjeve me fanellën e Blaugranëve (nga 767) nuk mund të mos shënonte.

Kur po zhvillohej minuta e 13-të, Messi pranoi një top nga Sergio Busquets krijoi hapësirë dhe e dërgoi topin në këndin e portës.

Pas golit të mrekullueshëm nga 33-vjeçari, të dyja skuadrat patën raste shënimi, kurse vendasit ishin më të rrezikshëm. Pas një goditje të Jordi Albas që u përplas për shtylle, erdhi edhe goli i dytë i katalunasve.

Antoine Griezmann 35’ mori një top nga Pedri shumë larg zonës, shkoi përpara dhe realizoi gol akoma më të bukur se Messi.

Në fund të pjesës së parë u akordua penallti në favor të skuadrës mysafire, të cilën e konvertoi në gol Rafa Mir (45’+4).

Katalunasit shënuan një tjetër gol në fraksionin e dytë, ndërsa Oscar Mingueza realizoi golin e tij të parë me Barcën (53’) pas asistimit nga Leo Messi.

Leo Messi nuk u ndal me kaq, por e shënoi edhe një tjetër gol të bukur në fund të takimit (90’+1).

Falë kësaj fitoreje, Barcelona pozicionohet në vend të dytë në tabelë me 4 pikë më pak se lideri Atletico Madrid. Huesca mbetet në fund të renditjes me 20 pikë të arkëtuara pas 27 ndeshjesh.