Barcelona ka fituar me rezultat të thellë 5-0 ndaj Eibarit në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në La Liga.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të vendasve, të cilët përveç rasteve shënuan edhe 3 gola, ku të 3 erdhën nga Lionel Messi.

Ylli argjentinasi ishte i papërmbajtshëm në minutën e 14-të duke shënuar gol të bukur për 1-0, pasi më parë kishte dribluar një kundërshtar.

Messi u shfaq përsëri në minutën e 37-të duke shënuar për 2-0, ndërsa në minutën e 40-të kompletoi tregolëshin duke cuar epërsinë në 3-0.

Në pjesën e dytë, përsëri katalunasit ishin më të mirë duke menaxhuar mirë lojën dhe duke krijuar raste.

Barcelona shënoi dy herë në këtë pjesë me anë të Clement Lenglet (76’) dhe Arturo Vidal (82’), por të dyja u anuluan për pozitë jashtë loje.

Në këtë pjesë gjithashtu debutoi transferimi i ditëve të fundit, Martin Braithwaite, i cili u inkuadrua në vend të Antoine Griezmann në minutën e 72-të, ndërsa në minutën e 87-të asistoi për Messin, i cili shënoi golin e katërt personal.

Një minutë para fundit, Braithwaite përsëri bëri një depërtim të mirë dhe goditi bukur, por u ndal nga portieri dhe nga topi i rikthyer ishte Arthur, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 5-0.

Pas kësaj fitore, Barcelona e sheh veten në pozitën e parë me 55 pikë apo dy më shumë se Reali i dyti me një ndeshje më pak, ndërsa Eibar renditet i 16-ti me 24 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Blaugranët udhëtojnë te Reali për El Clasicon e radhës, ndërsa Eibari e pret Levanten.

Në ndeshjen tjetër të LaLigas, Celta Vigo mund Leganes me golin e Aspas 62’.