Paris Saint-Germaini ka pësuar humbje minimale nga Olympique de Marseille në Parc de Princes, në derbin francez të njohur si ‘Le Classique’.

Rastin e parë të mirë në ndeshje e pati Idrissa Gueye, i cili u lirua nga përcjellësi i tij dhe goditi drejt portës, mirëpo Steve Mandanda ia doli ta ndalte.

Pas një harkimi të Dimitri Payet nga gjuajtja e lirë, Florian Thauvin e priti topin në zonë dhe e dërgoi në rrjetë (31’).

Pablo Sarabia dhe Neymar patën raste në pjesën e dytë, ndërsa Angel di Maria realizoi, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Edhe Dario Benedetto shënoi në anën tjetër, mirëpo anësori e ngriti flamurin dhe golin u anulua.

Parisienët u përpoqën deri në fund të takimit që të realizonin gol, mirëpo nuk ia dolën dhe u desh të pajtoheshin me humbjen e dytë radhazi.

Minutat e fundit të takimit ishin mjaft të tensionuara, ndërsa lojtarët u përfshinë edhe në përleshje fizike me njëri-tjetrin.

Me këtë rast, gjyqtari fillimisht ndau 4 kartonë të kuq dhe më pas, pas konsultimit të VAR-it, e përjashtoi edhe Neymarin.

Sulmuesi brazilian kishte pasur probleme të vazhdueshme me Alvaro Gonzalez, ndërsa në momentin e tollovisë, ai e shfrytëzoi rastin që ta godasë nga prapa kokës dhe kjo i kushtoi me karton.

Layvin Kurzawa e Leandro Paredes të PSG-së dhe Jordan Amavi e Dario Benedetto të Marseille, ishin futbollistët tjerë që morën kartonë të kuq.

Për Marseille, kjo ishte fitorja e dytë nga po aq ndeshje të zhvilluar dhe tashmë është ngritur në kuotën e 6 pikëve.