Kalimi i mesfushorit Donny Van de Beek (1997) te Real Madridi dukej i sigurt, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi ekipi spanjoll ka vendosur të mos bëjë shumë shpenzime të mëdha gjatë sezonit të transferimeve të verës.
Tani është gjiganti anglez Manchester United që ka filluar bisedimet me Ajaxin për transferimin e Van de Beek në Old Traford dhe sipas asaj që ka raportuar The Times, Djajtë e Kuq kanë bërë një ofertë prej 36 milionë stërlinash ( 40 milionë euro) për lojtarin, por kjo është refuzuar nga Ajaxi.
Ajax ka kërkuar nga drejtuesit e Djajve të Kuq që të ofrojnë 55 milionë euro (49 milionë stërlina), pra rreth 15 milionë euro më shumë nga oferta e parë nëse duan transferimin e Van de Beek.
Për mesfushorin holandez interesim kanë shprehur edhe dy skuadrat tjera angleze Tottenham Hotspur dhe Newcastle United.
23-vjeçari ka pasur një vit fantastik me Ajaxin, ku në 37 takime zyrtare në të gjitha garat ka shënuar 10 gola dhe ka bërë 11 asiste.