Pas një beteje të gjatë, legjenda e portës shqiptare, Bujar Gogunja është ndarë nga jeta në moshën 65-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.

Ish-portieri i Labinotit (Elbasani) nuk mundi të fitonte betejën me sëmundjen, duke lënë trishtim te familjarët dhe miqtë.

Gogunja për 11 vite mbrojti portën e Labinotit dhe gjithë jetën ia kushtoi futbollit si trajner pasi u tërhoq nga aktiviteti. Ai është shqiptari i parë që ka shkruar emrin në majat më të larta të portierëve botërorë që nuk kanë pësuar gol për shumë minuta.

Për 1037 ose thënë ndryshe në 11 takime radhazi në sezonin 1983-84 kur Labinoti u shpall kampion, Gogunja nuk pësoi gol, duke qenë në listën e IFFHS-së i pozicionuar si portieri i 38-të që mban portën e paprekur.

Ai mbeti një frymëzim për brezat e rinj dhe kontribuoi për qytetin e tij edhe si trajner portierësh te KF Elbasani kampion i sezonit 2005-2006.