Tre krerët e grupeve parlamentare të opozitës shprehen të vendosur se nuk do të votojnë marrëveshjen e 5 qershorit të këshillit politik pa listat e hapura.
Pas takimit me kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçin që nisi në orën 09:00, deputetët Myslim Murrizi, Nimet Musai dhe Edmond Stojku deklaruan hapur votën kundër të 31 deputetëve që ata përfaqësojnë ndërsa shtojnë se do të bojkotojnë dhe komisionet parlamentare nëse nuk arrihet një marrëveshje për kërkesat e tyre.
Pas takimit në kryesinë e Kuvendit , ata kërkojnë takim dhe me kryeministrin Edi Rama.
Kryetari i Grupit Parlamentar Demokrat, Myslim Murrizi i quajti “sharlatanë politikë” ata që kanë deklaruar votën pro draftit të reformës zgjedhore bazuar në marrëveshjen e 5 qershorit.
Myslim Murrizi: ”Unë nuk e di kush janë 6, ju i paskeni gjet në numër. Nuk është tagri im të merrem me sharlatanë politikë. Grupi parlamentar që përfaqësoj nuk do të votojë reformën zgjedhore. Ata të tjerët, shkoni dhe i kontaktoni”
Kryetari i Grupit Parlamentar i Pavarur, Nimet Musai: “Nuk do ta votojmë këtë produkt të këtij këshilli. 31 deputetë nuk do ta votojnë këtë produkt të këtij këshilli.”
Kryetari i Grupit Parlamentar Demokraci dhe Drejtësi, Edmond Stojku: “Nuk do vazhdojmë të jemi më pjesë e mbledhjeve të komisioneve parlamentare.”
Ky takim erdhi pas kërkesës që opozita i bëri Ruçit dhe kryeministrit Edi Rama në lidhje me reformën zgjedhore.
Në kërkesë-shkresën e takimit theksohet se një marrëveshje e tillë është në kundërshtim me legjitimitetin e Kuvendit, pasi i imponohet vendimmarrje këtij institucioni.
Opozita parlamentare kërkon që në Kuvend të diskutohet për kalimin nga listat e mbyllura në të hapura.
“Kodi i Ri Zgjedhor duhet të jetë i ri, jo një arnim skandaloz i Kodit të vjetër ku shkelen me të dyja këmbët rekomandimet e OSBE-ODIHR. Ata që janë duke ikur nga parlamenti nuk mund ta mbajnë peng as parlamentin, as procesin zgjedhor në Shqipëri sipas hesapeve të tyre, qoftë edhe me bekimin e kryetarit të mazhorancës që sillet edhe si ali edhe si Kadi sipas hesapeve të tij.” – theksohet në letër.