Sulmuesi brazilian Alexandre Pato (1989) ka thënë se ëndërron të kthehet te Milani dhe beson se ai dhe Zlatan Ibrahimovic (1981) do ta formonin një dyshe sulmuese madhështore.
31-vjeçari është pa klub që kur se u lirua nga Sao Paulo verën e kaluar dhe tani e pranon se ëndërron të kthehet në San Siro.
“Kam kujtime të mira, bëhet fjalë për 150 ndeshje, 63 gola, një titull në Serie A dhe një në Superkupën e Italisë. Do të ishte ëndërr nëse do të kthehesha në Milan, të cilin e kam në zemër”, theksoi Pato.
I pyetur nëse do të pranonte të ishte zëvendësues i Ibrahimovicit, braziliani Pato këmbënguli se do të mundë të luante bashkë me suedezin.
“Do të thosha po, nuk ka problem. Por sepse nuk do të isha zëvendësues i tij. Do të luaja, sepse dy ndeshje do të mjaftonin për ta bindur trajnerin. Mbase mund të luajmë së bashku. Do të ishim një dyshe madhështore”, nënvizoi Pato.