Partizani e ka mbyllur me një humbje minimale ndeshjen e stome përballë Astanës, të vlefshme për play-off të Ligës së Konferencës. Kështu, të kuqtë kanë shanse reale për të shkuar në fazën në grupe të turneut, teksa do të synojnë përmbysjen në takimin e javës së ardhshme në “Elbasan Arena”.
Sfida sot ka folur siç pritej për vendasit, të cilët kërkuan e krijuan raste për shënim para portës së Qirkos, sidomos me gjuajtjet para zonës. Në fund, Lonçar ia doli të shënonte me një të tillë, për të mbyllur pjesën e parë në avantazh për ekipin e tij, ndërsa u anulua edhe një gol për pozicion jashtë loje i vendasve.
Partizani i pjesës së dytë ishte ndryshe, pasi kërkoi më shumë të mbante topin dhe thumboi me kundërsulme. Por Rrapaj shpërdoroi disa mundësi të mira shënimi me kundërsulmet që u krijuan, ndërsa vendasit tundën dy herë rrjetën, duke u ndalur në të dy rastet nga sinjalizimi i VAR që u prishi festën dhe vulosi rezultatin 1-0 që lë gjithçka të hapur për duelin e kthimit.
ASTANA 1-0 PARTIZANI
41′ Lonçar