Chelsea nuk e merr veten as në javën e 16-të në Ligën Premier, pas humbjes 3-1 që pësoi nga Arsenali në javën e kaluar.
The Blues kanë barazuar 1-1 në Stamford Bridge me Aston Villën, duke e vazhduar kështu formën e tyre aspak të mirë në ligën angleze.
Pas 34 minutash lojë, Chelsea kaloi në epërsi me anë të Olivier Giroudit që shënoi me kokë nga një harkim i Ben Chilwellit.
Në 45 minutat e dytë, Villa ishte më kërkuese dhe arriti t’i barazonte shifrat në 1-1 me golin e Anwar El Ghazit që realizoi në minutën e 50-të.
Frank Lampard kërkonte nga lojtarët e tij që të rikthenin epërsinë me një lojë me ritëm të shtuar, por kjo gjë nuk u mjaftoi.
Aston Villa arriti të mbante këtë rezultat deri në fund, duke fituar një pikë në udhëtim te blutë e Londrës.
Pas javës së 16-të, Chelsea është në vendin e gjashtë me 26 pikë, aq sa ka edhe Aston Villa në të pestin.
Në javën e 17-të, londinezët do të takohen me Manchester Cityn, mirëpo mbetet të shihet nëse ndeshja do të luhet, pasi Citizens kanë lojtarët të infektuar me COVID-19.