Manchester City e ka fituar kryendeshjen e xhiros së 19-të të Ligës Premier kundër Chelseas me rezultatin 1-0 në Stamford Bridge.

Blutë u detyruan t’i bëjnë dy zëvendësime në 20 minutat e para (Raheem Sterling dhe Christian Pulisic) duke e zgjatur listën e futbollistëve të lënduar.

Erling Haaland pati një mundësi për mysafirët, derisa Carney Chukwuemeka e goditi shtyllën para se skuadrat të shkonin në pushim.

Në fraksionin e dytë, vizitorët i intensifikuan sulmet duke rrezikuar përmes Nathan Ake, Bernardo Silva e Thiago Silva.

Pas një ore lojë, Pep Guardiola i inkuadroi në fushë dyshen Jack Grealish dhe Riyad Mahrez. Tri minuta më pas, Grealish asistoi dhe Mahrez 63’ shënoi golin e fitores.

Me këtë fitore, Manchester City e ka ngushtuar në pesë pikë diferencën me liderin e kampionatit Arsenal.

Chelsea, në anën tjetër, ka mbetur në vend të dhjetë në tabelë me 25 pikë të arkëtuara deri më tani.