Manchester City e ka shkatërruar Liverpoolin në kuadër të javës së 31-të në Ligën Premier duke e mposhtur me rezultat të thellë 4-0.

Skuadra e Pep Guardiolës fillimisht e nderoi kampionin e ri të Anglisë duke i bërë korridorin e nderit dhe duke e duartrokitur për suksesin e arritur.

Goli i parë erdhi në minutën e 25-të kur shënoi Kevin de Bruyne nga penalltia pasi më parë Raheem Sterling ishte penguar në zonë nga Joe Gomez.

Vetëm 10 minuta më vonë, City e ngriti epërsinë në 2-0, kur Raheem Sterling shënoi një gol të bukur.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, City ndërtoi një aksion të mirë ku De Bruyne asistoi për Phil Foden i cili mposhti Alissonin për herë të tretë në këtë mbrëmje.

Në minutën e 66-të Raheem Sterling bëri gjithçka mirë dhe gjuajtjen e tij që po shkonte në drejtim të golit e devijoi Oxlade Chamberlain duke ngritur epërsinë e vendasve në 4-0.