Pasi dërgoi 30 mjekë e infermierë në Itali për emergjencën e Koronavirusit, kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për La Gazzetta dello Sport ku flet edhe për sportin.
Si është situata në Shqipëri, gjatë kësaj pandemie?
Luftojmë, si të gjithë. Por të ndërgjegjshëm mbi dobësinë tonë, ishim të parët që vendosëm të parkojmë autobusin përpara portës, siç do të thoshte i madhi Zhoze Murinjo. Fatmirësisht dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu, numrat aktualë të të prekurve deri tani po na japin të drejtë për vendimin e marrë.
Ju citoni Murinjon, por mbani tjetër gjë brenda zemrës suaj, apo jo?
Unë kam qenë juventin që fëmijë. Mbi kokën e krevatit tim ishte fotografia e Dino Xofit. Çdo nate, përpara se të fikja dritën e shihja dhe i kujtoja gjyshes sime se Dino ishte madhështor falë gjyshes së tij që i jepte të hante shumë vezë. Dje, sot e në vazhdim, Xof mbetet lojtari im i preferuar. Por edhe pse juventin, e pranoj njollën time për Zhoze Murinjon. Kur stërviti në Itali, u afeksionova aq shumë ndaj tij, sa festova për të gjitha fitoret e Zhozesë. E di, mund të duket një mëkat vdekjeprurës, por si një lexues i rregullt i “Gazzetta dello Sport” nuk mund ta fsheh.
Çfarë përfaqëson për ju Juventusi?
Shpirtin e grupit që të garanton fitoren, madje duke thyer shpesh edhe parashikimet. Më kanë fotografuar me xhupa të ndryshëm të Juves, por ato janë shumë të bukur. Mbi të gjitha më shkojnë për kohët e vështira si këto. Madje, ia vlen të rrezikoj që të humb edhe ndonjë votues timin interist…
Le ta hapim pak sirtarin tuaj të kujtimeve bardhezi…
Ato jo të bukurat lidhen me dy emra konkretë dhe më vijnë drithërima vetëm për t’u cituar mbiemrat: Rep dhe Magat (ndëshkuesit e Juventusit në finalet e vitit 1973 dhe 1983, respektivisht ndaj Ajaksit dhe Hamburgut, në finalet e Kupës së Kampioneve). Dhe mjaft me kaq sepse nuk dua të flas as për atë tipin e çuditshëm me bilbil në dorë, që arbitronte në Madrid… Ndërsa kujtimet e bukura janë aq të shumta sa më mirë të mos flas dhe mbi të gjitha të mos provokoj lexuesit e shumtë të frontit anti-juventin.
Po nga vizita juaj e kohëve të fundit në “Allianz Stadium” çfarë kujtoni?
Më tepër se një stadium i bukur, ajo që më godet është fakti i të qenit një strofkë mahnitëse që mbështjell shpirtin juventin. Gjithsesi, “Air Albania” ynë është më i bukur dhe nuk është një provokim… Për mua ishte një nder që të takoja presidentin Andrea Anjeli, të cilit i vlerësoj guximin për t’i mbijetuar hijes së rëndë të “Avokatit”.
Fëmijët që i mbijetuan realisht tërmetit iu dhurua të takonin Kristianon dhe Bufonin, dy fëmijë kolosë me një zemër madhështore.
Ju ka bindur deri tani Juventusi i Sarrit?
Ah, nuk dua të them asgjë këtu, pasi Italia ka mjaft njerëz që dinë gjithçka për futbollin, ndonëse nuk e kanë prekur asnjëherë topin. Ne futboll unë shoh fragmente jete, mësoj mënyra të ndryshme për të arritur te fitorja. Për mua, trajnerët e mëdhenj janë mestro të lidershipit, si Murinjo.