Kryeministri Rama në daljen e tij live nga kryeministria tha se deri në fund të kësaj lufte me koronavirusin, pagat e deputetëve dhe ministrave do të përgjysmohen.
Rama shtoi se diçka e tillë nuk do të ndodhë me pagën e presidentin, duke e falënderuar atë për ndihmën që po jep në këtë kohë.
Rama: Nëse lufta do të zgjasë dhe do na duhet të kalojmë në planin B, sepse të parët ata me halle nuk do t’i lëmë vetëm, ndërsa të dytët nuk duhet të ankohen, por duhet të bëjmë luftën e tyre si gjithë të tjerët. Unë doja që qysh në planin A të heqim të gjithë nga vetja, duke filluar qysh nga biznesi i madh, apo ata që kanë një pagë të lartë në sektorin publik, por më bindën se ky do të perceptohej si një mesazh i gabuar dhe të hynte nga ato gojët pa perimetër të ekraneve televizive, nga ku do të dilte se shteti nuk ka para për të paguar paga dhe pensioni, prandaj hëpërhë nuk do të prekim asnjë pagë përveç atyre të deputetëve dhe ministrave, që do të marrin vetëm gjysmën e rrogës deri në mbarim të luftës. Ndërsa presidentit nuk do ia përgjysmojmë, dhe haka e do që ta falënderoj publikisht sepse qysh kur kemi hyrë në këtë luftë po ndihmon si mundet dhe sa mundet.
Më pas kryeministri Edi Rama prezantoi planin me 7 pika të qeverisë për adresimin e nevojave për financim të atyre që janë prekur drejtëpërdrejtë në ekonominë e tyre të përmuajshme për shkak të paralizimit të jetës nga masat drastike kundër koronavirusit.
Rama njoftoi se mbi 370 milion dollarë do të shkojnë si ndihmë për shëndetësinë, biznesin dhe shtresat në nevojë.
- 25 milion dollarë për luftën në vijën e zjarrit në dispozicion për Ministrinë e Shëndetësisë për pajisjen me materiale mjekësore apo mbështetjen të të gjithë personelit të angazhuar mjekësor.
- 100 milion dollarë për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve të tyre.
- 65 milion dollarë për nevojat më imediate për shtresat më në nevojë, për biznesin e vogël, për papunësinë e mundshme për shkak të luftës.
- 20 milion dollarë që vihen në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes për operacionin humanitar.
- 10 milion dollarë si fond rezervë për Këshillin e Ministrave për çdo urgjencë të paparashikuar.
- Do të fshijmë përgjithmonë kamatvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot, familjarë apo biznes i vogël, me efekt financiar deri në 150 mln dollarë. Nga kjo masë do të përfitojnë 211 024 abonentë.
- Do të riskedulojmë në 6 mujorin e dytë të vitit 2020 dhe në vazhdim tatim-fitimin për të gjithë biznesin deri në fashën nga 20-140 mijë dollarë xhiro. Shtyrja e dorëzimit të bilanceve për një periudhë deri në 1 qershor të këtij viti për bizneset që dorëzojnë bilancet në QKB online ose drejtëpërdrejtë do të përfshihet nesër me të gjitha të tjerat datë 20.03.2020 si pjesë e aktit normativ për ndryshimet në buxhetin e shtetit 2020.