Është mbajtur takimi urgjent i bordit të drejtorëve te gjiganti spanjoll Real Madrid.
Ky takim është thirrur nga presidenti i Los Blancos, Florentino Perez për të biseduar për akuzat që janë ngritur ndaj Barcelonës nga prokuroria e vendit.
Barcelona po akuzohet se ka paguar mbi shtatë milionë euro Negreiran për tri vite radhazi dhe ka shqetësime edhe nga klubet e tjera.
Los Blancos pas përfundimit të takimit kanë lëshuar një deklaratë zyrtare ku kanë shprehur shqetësimin e thellë për faktet e publikuara, derisa kanë deklaruar se kanë besimin e plotë në veprimin e drejtësisë.
Real Madridi ka konfirmuar se do të paraqitet në çështjen Negreira-Barcelona sapo gjyqtari të vendosë ta çojë çështjen përpara.
“Bordi i Drejtorëve të Real Madrid CF, në mbledhjen e mbajtur sot, mësoi për akuzat e rënda të Prokurorisë së Barcelonës ndaj FC Barcelona, dy presidentëve të saj, Josep María Bartomeu dhe Sandro Rosell dhe ish-drejtorëve Albert Soler dhe Óscar Grau, mbi bazën e krimeve të mundshme, ndër të tjera, të korrupsionit në fushën sportive, në kuadrin e marrëdhënieve të vendosura nga ky klub me ish-zëvendëspresidentin e Komitetit Teknik të Gjyqtarëve, José María Enríquez Negreira.
Real Madrid shpreh shqetësimin e tij të thellë për seriozitetin e fakteve dhe rithekson besimin e tij të plotë në veprimin e drejtësisë dhe ka rënë dakord që, në mbrojtje të interesave të tij legjitime, do të paraqitet në procedurë sapo gjyqtari t’ua hapë palëve të dëmtuara”, – thuhet në komunikatën zyrtare të Los Blancos.