Anësori sulmues Jadon Sancho (2000) më në fund do të rikthehet në vendlindje dhe të luaj në Premier League. Chelsea, Manchester City, Liverpool e Manchester United ishin në garë, por në fund kanë triumfuar Djajtë e Kuq.

Ka qenë e përditshmja gjermane Sport Bild që në një shkrim ekskluziv ka zbuluar se marrëveshja mes palëve është arritur.

Djajtë e Kuq do të paguajnë 120 milionë euro (109 milionë stërlina) për talentin anglez, të cilat Borussia Dortmund do t’i marrë me 3 këste; 70 milionë euro vitin e parë, 30 të dytin dhe 20 milionë euro ne 2022.

20-vjeçari më parë ka arritur marrëveshje personale me Manchester United, ku pritet të të nënshkruajë një kontratë 5-vjecare me pagë fillestare 7.2 milionë stërlina (8 milionë euro) deri në 10.4 milionë stërlina (11.5 milionë euro) në vitin e fundit të kontratës.

Sancho pati një sezon fantastik me Borussia Dortmundin, duke zhvilluar 44 ndeshje ku shënoi 20 gola dhe bëri 20 asiste.

Përfaqësuesi anglez qëndroi për tri vite në Dortmund, pasi në vitin 2017 ishte bashkuar me verdhezinjtë nga Manchester City për 7,8 milionë euro.