Lazio e ka nënshtruar Milanin në Stadio Olimpico (3-0), në ndeshjen e mbetur nga java e 33-të në Serie A.

Mjaftuan 2 minuta lojë që të zhbllokohej rezultati. Joaquin Correa shënoi pas asistit nga Ciro Immobile dhe me një gol epërsi skuadrat shkuan në pushim.

Në gjysmën e dytë, Correa e dyfishoi epërsinë (51’), kësaj radhe i asistuar nga Luis Alberto.

Nuk mund të mungonte goli i Ciro Immobiles (87’) në këtë takim. Sulmuesi italian u assitua nga Manuel Lazzari.

Pas kësaj humbjeje, Milani ka rënë në vend të pestë në renditje, me pikë të barabarta me Juventusin dhe Napolin (nga 66), kurse Atalanta numëron 68 pikë në vend të dytë.

Lazio mban vendin e gjashtë në renditje me 61 pikë të arkëtuara pas 32 ndeshjesh, pra ka 1 ndeshje më pak.