Milani nuk ka arritur të arkëtojë pikë të plota përballë Salernitanas në San Siro (1-1), në ndeshjen e javës së 26-të në Serie A.

Rezultati u zhbllokua në fund të pjesës së parë kur pas një harkimi nga këndi të Ismael Bennacer, Olivier Giroud 45’+1 realizoi me kokë.

Shifrat u barazuan pas një ore lojë, kur Domagoj Bradaric dhuroi një asistim të mirë për Boulaye Dia 61’, i cili ishte i saktë nga brenda zonës.

Në vijim pati dy raste të dyshimta penalltie për vendasit, të cilat u hodhën poshtë nga gjyqtari, njëri pas konsultimit të VAR-it.

Pas këtij barazimi, Milani qëndron në pozitën e katërt në tabelë me vetëm një pikë më shumë se Roma që ndodhet një vend më poshtë në renditje.

Salernitana ka arkëtuar një pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë në elitën e futbollit italian.