Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e pranon se të gjithë personat e lidhur me Djajtë e Kuq janë lënduar nga triumfi i merituar Liverpoolit në Premierligë, por thotë se klubi do të bëjë gjithçka për t’i kaluar rivalët në të ardhmen.
Skuadra e Jurgen Kloppit u shpall kampione e Premierligës të enjten në mbrëmje, pasi Chelsea e mposhti Manchester Cityn me rezultat 2:1 në Stamford Bridge, duke i dhënë kështu fund ecurisë prej 30 vjetësh pa titull të kampionit të Anglisë.
“Cilado skuadër që e fiton Premierligën, e meriton. Natyrisht se ata e merituan, kjo është një ligë e vështirë për ta fituar. I përgëzoj Jurgenin dhe lojtarët e tij. Por, kurdo që e sheh dikë ta fitojë ligën, të lëndon. Kjo është ndjenja që e ka të gjithë personat e lidhur me Manchester Unitedin – të gjithë stafi, lojtarët dhe tifozët. Natyrisht, ne duam t’u kthehemi fitoreve dhe kjo është pjesë e sfidës sonë”. ka thënë Solskjaer.