Kryeministri Spanjoll Pedro Sánchez do të heqë disa kufizime në lëvizjet dhe hapjen e disa bizneseve pavarësisht se mijëra raste të reja të koronavirusit raportohen çdo ditë në vend.

Duke folur në një konferencë për shtyp të dielën e Pashkëve më 12 prill, Sánchez paralajmëroi popullin spanjoll të tregojë kujdes edhe pse shkalla e të infektuarve dhe vdekjeve nga koronavirusi vazhdon të ngadalësohet, shkruan CNN.

“Unë dua të jem i qartë, ne as nuk po hyjmë në fazën e dytë. Gjendja e alarmit vazhdon, për pasojë mbyllja e përgjithshme vazhdon.”

Sánchez tha se heqja e kufizimeve, disa prej të cilave do të fillojnë të hënën më 13 prill, do të jetë progresive dhe e matur. Spanja ka qenë një nga vendet më të prekura nga pandemia e koronavirusit, me të paktën 166.831 infeksione dhe 17,209 viktima nga e diela e 12 prillit, sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins.

Sanchez tha se ai merr përgjegjësinë mbi furnizimin e pamjaftueshëm të pajisjeve mbrojtëse siç janë maskat, por sipas tij e gjithë bota kishte qenë e papërgatitur.

”Spanja ka filluar të garantojë sigurimin sistematik të këtyre materialeve, dhe po ndërmerr hapa për të mbrojtur personelin e kujdesit shëndetësor”, tha Sanchez.

Përballë kritikës në rritje nga partitë e tjera të qeverisë për trajtimin e koronavirusit, Sánchez gjithashtu bëri thirrje për një reagim politik të bashkuar, në Spanjë dhe në Evropë.