Shpërthen kaosi mes tifozëve të Interit para ndeshjes së kthimit të Ligës së Kampioneve ndaj Portos. Shkak është bërë vendimi i klubit vendas që të ndalojë hyrjen në stadium të gjithë tifozëve zikaltër që kanë blerë bileta jashtë sektorit të rezervuar për miqtë.

inter

Ndeshja është cilësuar e rrezikshmërisë së lartë nga policia portugeze dhe në këtë mënyrë, pritet të ketë shumë tension në hyrje të stadiumit, pasi raportohet se janë rreth 1000 tifozë zikaltër të cilët janë të shpërndarë në pjesë të tjera të stadiumit pasi kanë arritur të blejnë bileta për këtë sfidë.

Një vendim që mund të çojë edhe në bojkot të ultrasve zikaltër, pasi edhe “Curva Nord” ka bërë të ditur se është gati të mos hyjë në stadium. Situatë që ka shtyrë klubin të kërkojë një takim me autoritetet vendase, për të bërë të mundur që tifozët të mos mbeten jashtë impiantit ku luhet sfida e kthimit për një vend në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.