Universiteti i Elbasanit nxjerr njoftimin “Për organizimin e procesit mësimor dhe përfundimin e vitit akademik 2019-2020″

Në mbështetje të nenit 39 të ligjit Nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, nenit 11 të Statutit të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, mbështetur në propozimet e njësive kryesore, Rektorati në mbledhjen e datës 28.04.2020,

VENDOSI:

I. Organizimin e procesit mësimor dhe përfundimin e vitit akademik 2019-2020 në universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” sipas përcaktimeve më poshtë:
1. Për të gjitha programet e studimit për vitin akademik 2019-2020, gjatë periudhës së zhvillimit të mësimit online të vlerësohen të realizuar apo të kryer elemente të veprimtarisë mësimore si më poshtë:
– Leksionet dhe seminaret e lëndëve/moduleve, sipas planeve mësimore të programeve dyvjeҫare profesionale, të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë të zhvilluara nëpërmjet platformave online.
– Laboratorët dhe praktikat lëndore/klinike/mësimore që janë zhvilluar në masën jo më pak 50% e tyre. Orët e laboratorëve dhe praktikave lëndore/klinike/mësimore që janë kryer nën masën 50%, duhet të realizohen në mënyrë të përqendruar duke respektuar distancimin social (fizik).
2. Më datën 25 maj 2020 rifillon procesi mësimor në auditor për studentët e viteve të fundit (në programet dyvjeҫare, bachelor dhe master).
3. Më datë 12 qershor 2020 përfundon procesi mësimor në auditor për studentët e përcaktuar në pikën 2 të këtij vendimi.

4. Deri më datë 26 qershor 2020 të kryhen praktikat mësimore të mësuesisë përmes ndjekjes dhe zhvillimit të mësimit online për sistemin parauniversitar sipas platformës nga pedagogu udhëheqës.
5. Më datë 15 qershor 2020 rifillon procesi mësimor në auditor për studentët e viteve të para dhe të dyta.
6. Më datë 4 korrik 2020 përfundon procesi mësimor në auditor për studentët e viteve të para dhe të dyta.
7. Leksionet të zhvillohen me grupe të vogla sipas një plani të detajuar nga secili fakultet në respekt të protokollit të distancimit social (fizik).
8. Paralelisht me rikthimin në auditor, me të gjithë studentët e tjerë do të vazhdohet edhe mësimi online.
9. Provimet të zhvillohen në përfundim të proceseve mësimore, pas datës 26 qershor 2020 për vitet e fundit dhe pas datës 4 korrik 2020, për vitet e tjera. Forma e zhvillimit të provimeve është me shkrim, me gojë në auditor ose në distancë. Realizimi i provimeve me shkrim të bëhet në grupe të vogla, duke respektuar rregullat e distancimit social (fizik) dhe të masave mbrojtëse (studenti është i detyruar të paraqitet në provim me maskë mbrojtëse).
10. Në lëndët ose modulet ku është e mundur të realizohen provime në distancë, personeli akademik merr përsipër realizimin e tyre nëse platformat në përdorim e mundësojnë këtë proces. Për këto raste, dekanatet miratojnë lëndët/modulet që do të realizohen me provime në distancë, si dhe hartojnë dhe miratojnë procedurë të posaçme mbi mënyrën e zhvillimit dhe dokumentimit të provimeve duke informuar njëkohësisht pedagogët dhe studentët.
11. Studentët e viteve të fundit sipas programeve të studimit, pasi kanë shlyer të gjitha detyrimet për t’u pranuar në provim formimi apo mbrojtje diplome, në varësi edhe të kryerjes së praktikave profesionale, mund të shlyejnë provimin e formimit ose mbrojtjen e diplomës brenda muajit korrik 2020 ose brenda muajit shtator 2020.

II. UE, bazuar edhe nga ecuria e situatës, propozon mundësinë e shtyrjes së vitit akademik deri në mesin e muajit tetor 2020.

III. Ngarkohen të gjitha njësitë e Universitetit me zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

REKTORI
Prof. Dr. Skender TOPI