Eneo Bitri (1996) është zyrtarisht një futbollist i Banik Ostrava në kampionatin çek të futbollit për 15 mijë euro. Qendërmbrojtësi nga Berati, i cili mbante shiritin e kapitenit te skuadra e Partizanit, ka udhëtuar drejt Republikës Çeke dhe pasi ka kryer gjatë të hënës vizitat mjekësore, ka nënshkruar marrëveshjen që e lidh me klubin e ri.
Sipas vetë klubit çek, kontrata e Bitrit vlen për një vit e gjysmë deri nê 30 qershor 2024 me opsion për rinovimin edhe një tjetër sezoni me futbollistin 26-vjeçar. Vetë shefi i departamentit sportiv të Banik Ostrava, Ludek Mikloshko, ka treguar për faqen zyrtare të klubit se si u mbërrit deri te firma me Bitrin.
“Ne po vëzhgonim prej kohësh disa mbrojtës. Dhe nga lojtarët që kishim përzgjedhur, më e rëndësishmja për të ishte se ai mund të luante në disa role, është relativisht i lëvizshëm për gjatësinë që ka dhe është i shkëlqyer në duelet ajrore. Qoftë në mbrojtje apo edhe në sulm, ai mund të shënojë gola”, – theksoi zyrtari i klubit çek.
“Ai është njëzet e gjashtë vjeç, një lojtar në moshën ideale të futbollit. Ai tashmë ka një përvojë në ndeshje të vështira, duke përfshirë turnetë ndërkombëtarë dhe mund të luajë para stadiumeve të mbushura, kështu që plotësonte kushtet e duhura për të përballuar tranzicionin te Baník”, – u shpreh Mikloshko.