Sulmuesi Rodrigo Moreno (1991) ka nënshkruar për Leeds United dhe bëhet futbollisti më i shtrenjtë në historinë e klubit anglez.

“The Whites” paguan mbi 29 milionë euro për 29-vjecarin e lindur në Rio de Janeiro, që largohet nga Valencia për të vazhduar karrierën në Ligën Premier.

Moreno ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2024. Sulmuesi do të jetë një nga lojtarët më të paguar në klubin që tashmë është kthyer në elitë.

Lojtari është shprehur i lumtur që do të luajë nën urdhrat e Marcelo Bielsas.

“Unë jam i ngazëllyer që mund të punoj me Marcelo Bielsan, ai është një nga trajnerët më të mirë, ka bërë gjëra të mëdha në shumë klube dhe unë dua të mësoj. Unë jam i lumtur që do të luaj për këtë klub në Ligën Premier. Unë dua ta ndihmoj ekipin të ketë një sezon të shkëlqyeshëm. Leeds kanë biseduar me Valencia për dy javë, ata e dinin se kishte probleme në Valencia dhe se unë nuk do të luaja në Ligën e Kampionëve. Kur Victor Orta më thirri, e dija që do të kisha një shans te Leeds”, përfundoi Rodrigo.