Manchester Unitedi ka konfirmuar zyrtarisht huazimin e portierit Jack Butland (1993) nga Crystal Palace, deri në fund të sezonit 2022-23.

Djajtë e Kuq kanë përforcuar radhët e tyre me një portier të ri, i cili do të jetë zëvendësues i spanjollit David De Gea. Bëhet fjalë për portierin anglez, Jack Butland, i cili vjen si huazim deri në fund të sezonit në Old Trafford.

“Manchester United është i kënaqur të konfirmojë se Jack Butland i është bashkuar klubit në formë huazimi nga Crystal Palace deri në fund të sezonit 2022/23”, – thuhet në njoftimin e klubit.

Gjithsesi, portieri 29-vjeçar ka luajtur 87 ndeshje në Ligën Premier dhe numëron 9 paraqitje me kombëtaren e Anglisë.

Butland tha:

“Ky është një klub i mrekullueshëm dhe që tani jam krenar që e përfaqësoj. Mezi pres të punoj me një grup portierësh të pabesueshëm, duke mbështetur njëri-tjetrin çdo ditë për të krijuar mjedisin më të mirë të stërvitjes dhe lojës për ekipin. Kam luajtur kundër David de Geas dhe kam përfaqësuar Anglinë së bashku me Tom Heaton; ata janë portierë të klasit të lartë dhe unë po shijoj mundësinë për të garuar përkrah dhe për t’i mbështetur ata si shokë skuadre. Ka shumë gjëra që ky grup mund të arrijë këtë sezon dhe unë jam i emocionuar që luaj rolin tim për të ndihmuar të gjithë për të arritur këto ambicie.”

John Murtough, drejtor i futbollit të Manchester United, tha:

“Jack është një portier i shkëlqyer me përvojë të madhe gjatë gjithë karrierës së tij. Mentaliteti dhe personaliteti i tij do të jenë një pasuri e vërtetë për grupin tonë të shkëlqyer të portierëve dhe të gjithë skuadrën. Jack bashkohet me Davidin, Tomin dhe portierët tanë të rinj për të formuar një grup të fortë që të gjithë do të mbështesin njëri-tjetrin në krijimin e një mjedisi optimal të stërvitjes dhe lojës. Të gjithë mezi presim ta mirëpresim atë në grup.”