Inter ka shënuar fitore me rezultat minimal 1-0 ndaj Atletico Madridit në ndeshjen e parë të fazës së 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.

Pjesa e parë e këtij ballafaqimi ishte e barabartë, me të dy ekipet që u treguan më të kujdesshme në fazën e mbrojtjes në pritje të ndonjë gabimi eventual nga njëra-tjetra.

Inter pati disa goditja të lehta në drejtim të portës së Oblak, por ato nuk përbënin ndonjë rrezik për ekipin spanjoll.

Zikaltërit treguan forcën e tyre në 45 minutëshin e dytë të kësaj përballje duke dominuar plotësisht Atleticon në çdo aspekt të ndeshjes.

Marko Arnautovic (63’) humbi një mundësi të artë shënimi duke mos arritur që të shfrytëzojë pasimin fantastik të Lautaro Martinez.

“Nerazzurrët” rrezikuan edhe një herë tjetër kësaj radhe me Lautaron, por goditja e tij me kokë u ndal me shumë vështirësi nga Oblak.

Pas shumë tentimeve të njëpasnjëshme, përpjekjet e Interit u shpërblyen me gol.

Ishte Marko Arnautovic (79’) i cili shfrytëzoi një top të kthyer brenda zonës për të çuar topin në rrjetë për rezultatin 1-0.

Pas golit të pësuar Atletico Madridi shtoi intensitetin e lojës ku pati dy raste të mira me Samuel Linon dhe Alvaro Moratan, por që porta e Sommer mbeti e paprekur.

Deri në fishkëllimën e fundit nuk pati më ndonjë rast për tu veçuar dhe Interi me shumë meritë mori fitoren, mirëpo gjithçka do të jetë e hapur për sfidën e kthimit në “Civitas Metropolitano”.

PSV Eindhoven dhe Borussia Dortmundi kanë barazuar 1-1 në ndeshjen e parë në kuadër të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.

Ishin mysafirët që dominuan në pjesën e parë, me çka edhe shënuan golin e epërsisë.

Ishte minuta e 24-të e takimit kur Marcel Sabitzer asistoi te Donyell Malen, që realizoi për 1-0.

Me kaq edhe përfundoi pjesa e parë, derisa edhe në të dytën pati një gol.

PSV ishte tejet me fat në këtë takim, pasi fitoi një penallti në minutën e 56-të. Luuk de Jong u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke barazuar shifrat në 1-1.

Ky rezultat shkon në favor të Dortmundit, duke ditur se në ndeshjen e dytë janë vendas dhe do të shpresojnë të kalojnë në çerekfinale nga Signal Iduna Park.