Mesazhi më i fortë i solidaritetit erdhi sot nga të verbrit e Elbasanit. Dhe pse ata marrin nga shteti një pension qesharak prej 10 mijë lekësh në muaj, dhe ankohen shpesh që nuk i del as për të ngrënë, ata dhuruan 1 mije lekë për të pastrehët e Durrësit.
Rreth 600 anëtarë të shoqatës së të verbërve u shprehën se edhe pse të ardhurat që marrin nuk u mjaftojnë as për medikamente e jo më për ushqime kanë vendosur në mënyrë unanime të dhurojnë 1 mijë lekë te reja nga pensioni i tyre për të prekurit e tërmetit. Me sytë e shpirtit kanë ndjerë emocione të forta këto ditë dhe kanë vendosur të japin kontributin e tyre modest.
Kryetarja e shoqatës Elida Çela fton këdo që ka mundësi të dhurojë, sado pak per personat që vuajnë. I ndjehet falenderues Zotit që vajza dhe fëmijët e saj nuk patën fatin e atyre që mbeten mes rrënojave.
Anëtari i shoqatës Gazmend Karakyzja e ka të pamundur ti ndalë lotët përballë fatkeqësisë që po kalon vendi.
Këto pamje nuk kanë nevojë për koment pasi fjalët do të ishin të kota, por mesazhi i përcjellë është i dukshëm.
Photo: Lirim Abazi