Lëkundjet janë ndjerë të forta në zonën bregdetare, në kryeqytet dhe në zonat përreth. Ndërkohë raportohet për dëme materiale në disa zona. Në Thumanë e Fushe Kruja raportohet për viktimat
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.4 ballë është ndjerë në Shqipëri rreth orës 03:55 minuta të mëngjesit të sotëm. Lëkundje të fuqishme që ngjallën panik tek banorët ku shumica kanë dalë në rrugë.
Epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana. Lëkundjet janë ndjerë të forta edhe në kryeqytet, por edhe Lezhë, Elbasan, Fushë-Krujë dhe Fier.
Dëme të shumta materiale janë shënuar në disa godina në këto qytete. Në Durrës restoranti-Hotel Miramare është shembur, por nuk raportohet për viktima.
Në Tiranë si në gjithë qytetet e tjera, mijëra njerëz kanë dalë nëpër rrugë të terrorizuar nga lëkundjet dhe duke pritur me ankth lëkundje të tjera. Nisur edhe nga fakti që prej orës 02:47 minuta e deri në vazhdim, janë shënuar lëkundje të herëpashershme.
Në zona e Astirit dhe rrugën “Siri Kodra” në Tiranë sinjalizohen rënie e disa mureve nga lartësitë. Në Thumanë e Fushë- Krujë raportohet për tre pallate të dëmtuar dhe viktima, por ende nuk ka asnjë informacion zyrtar. Në Lezhë disa familje kanë mbetur të bllokuar brenda pallatit, pasi nuk hapen dyert. Po ndërhyjnë forcat zjarrfikëse.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 05:31
Tërmeti në Tiranë/ I riu bie nga kati i tretë në zonën e ish-bllokut
Një i ri raportohet të ketë rënë nga kati i tretë në zonën e ish-bllokut. I riu është marrë me ambulancë dhe është shoqëruar për në spital ndërsa ende nuk ak të dhënë për gjendjen e tij shëndetësore.
Ora 05:28
Ministrja e Mbrojtjes me urgjencë drejt Durrësit
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka do të niset drejt Durrësit pas lekundjeve të njëpasnjeshme të orës së fundit.
Sipas të dhënave paraprake lëkundja e orës 3.50 ishte me magnitude 6.4 e shkallës rihter.
“Ministrja Xhacka dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile jane ne kontakt te vazhdueshem me prefekturat, vecanerisht me ate te Durresit per situaten”, thuhet në një njoftim nga zyra e shtypit të ministrisë.
Ora 05:21
E gjithë Tirana në rrugë….Panik nga tërmeti që shkundi Shqipërinë
Thuajse e gjithë Tirana ka dalë në rrugë nga paniku i përhapur pas tërmetit të fuqishëm 6.4 ballë që shkundi Shqipërinë.
Shqiptarja.com sjell disa nga këto momente ku njerëzit kanë dalë në rrugë, e disa të tjerë janë larguar me makina nga qyteti në drejtim të zonave me banesa përdhese.
Ora 05:18
Dëme të mëdha në Thumanë, dëmtohet edhe nënstacioni elektrike në Fushë-Krujë
Në fshatin Zhejë të Kurbinit një banesë është shembur duke u kthyer në të pabanueshme.
Bëhet fjalë për banesën e Fran Ndrecë Pirolit. Ndërkohë, tërmeti ka dëmtuar edhe nënstacionin elektrik që ndodhet në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, i cili furnizon me energji gjysmën e rrethit.
Në Thumane rapotohet për tre pallate që kanë pësuar dëmtime të mëdha.
Ora 05:14
Dëme të shumta në Durrës, shembet restoranti i njohur – Fotot nga rrënojat
Në lagjen numër 13 në qytetin e Durrësit është shembur totalisht restoranti i njohur Mira Mare, i cili është edhe hotel 4 katësh.