Përfaqësues të bizneseve të kafeneve, restoranteve dhe lokaleve të natës, i kanë kërkuar qeverisë masa të veçanta lehtësuese dhe mbështetje financiare për tu rimëkëmbur. Përmes një shkrese zyrtare, ata kërkojnë heqjen e barrave fiskale, si dhe zgjatje të orarit të shërbimit, ndërsa theksojnë se do të duhen 18 muaj që ti rikthehen normalitetit.

Përfaqësues të subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e bareve restoranteve dhe lokaleve të natës kanë dërguar një shkresë zyrtare në adresë të qeverisë, ku kërkojnë plotësimin e 6 kërkesave, për të përballuar dëmin e shkaktuar nga ulja e qepenave për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në letër, sipërmarrësit kërkojnë iniciativë ligjore të veçantë për lehtësimin financiar, subvencionim të qirasë, mbështetje për rihapjen dhe ulje të barrës fiskale.

“Kërkojmë grante për subvencionimin e qirasë, përjashtimin nga pagesa për shfrytëzimin e hapësirës publike për një periudhë të paktën 18 mujore, si dhe përjashtimin nga taksa e reklamës, taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore, taksa e tabelës informuese si dhe tarifa e pastrimit. Së dyti, kërkojmë subvencionimin e normave të interesit për kreditë aktuale, si dhe subvencionim të normave të interesit në kredi jo vetëm për të shlyer pagat e opunopnjësve, por dhe për të rimëkëmbur biznesin. Kërkojmë uljen e TVSH-së në të njëjtin nivel si sektori i turizmit dhe agroturizmitsi dhe mospagimin e kësteve të e parapagimit të tatim-fitimit për biznesin e vogël. Kërkojmë dhe të vihemi në dijeni për datën e rihapjes së subjekteve si dhe rishikimin e orarit të mbylljes së aktivitetit i cili duhet të shtyhet deri në ora 01:00”.

Në letër thuhet se moszbatimi i këtyre kërkesave do ta bënte të pamundur rimëkëmbjen e biznesve të këtij sektori, ndërsa parashikohet që 50-70% e subjekteve do ta kenë të pamundur rihapjen pas pandemisë.

Sipërmarrësit vlerësojnë se do të duhen 18 muaj që situata ti rikthehet normalitetit, pasi dhe në sjelljen publike, do të jetë rrënjosur një ndryshim domethënës.

Ja 6 kërkesat e Shoqatës së Bareve, Restoranteve dhe Klubeve (BRC) për qeverinë

Së pari, kërkojnë që të parashikohen grante për subvencionimin e zërit të qirasë si një zë shumë i rëndësishëm në shpenzimet e tyre dhe përgjatë gjithë kësaj periudhe që kanë qenë të mbyllur, ky zë ka qenë humbje direkte.

Po ashtu kërkojnë që përjashtimi i pagesës së shfrytëzimit të tarifës së zënies së hapësirës publike të mos jetë vetëm për muajt mars dhe prill 2020, por të vijojë edhe më tej, të paktën për një periudhë 18 mujore deri në rimëkëmbjen totale të aktiviteteve të tyre.

Gjithashtu, specifikisht për lokalet e natës, të cilat do të jenë të fundit që do të rihapen, por dhe që do të kenë funksionalitet të plotë më vonë se të gjithë subjektet e tjera, kërkojnë që mënyra e subvencionimit të jetë e ndryshme dhe më gjithëpërfshirëse, këtu duke marrë parasysh edhe faktin që numri i këtyre subjekteve është i vogël.

Së dyti, kërkojnë subvencionimin e normave të interesit për kreditë aktuale që i kanë të lidhura me biznesin, dhe subvencionim të normave të interesit në kredi disa qëllimore në lidhje me rimëkëmbjen e biznesit tonë dhe jo vetëm sa i përket pagave të punëmarrësve, por që të kenë mundësi që ta aplikojnë si një instrument për të rritur kapitalin qarkullues, në mënyre që të mos shkojmë drejt falimentimit, por të kemi mundësi te rimëkëmben.

Së treti, kërkojnë uljen e TVSH-së në të njëjtin nivel si sektori i turizmit dhe agroturizmit si një instrument i rëndësishëm për të incentivuar vijimin e aktivitetit në të njëjtin kapacitet si më parë si një faktor i kyç edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Së katërti, kërkojnë që këstet e parapagimit të tatim-fitimit edhe për tatimpaguesit me qarkullim mbi 14,000,000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë që ushtrojnë aktivitet në fushën e bareve dhe restoranteve, për vitin 2020 të mos paguhen.

Së pesti, kërkojnë që të vihen në dijeni në lidhje me datën e rihapjes së subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e bareve dhe restoranteve pasi data tashmë janë programuar edhe në vende si Italia apo SHBA që kanë kaluar një situatë shumë më të vështirë shëndetësore edhe se vendi ynë.

Së gjashti, kërkojnë të rishikohet orari i mbylljes së aktivitetit i cili duhet të shtyhet deri në ora 01:00. Kjo pasi në kuadër të masave të distancimit social, veprimtaria e tyre do të jetë e kufizuar në hapësirë, por në këtë mënyrë do mund të rikuperojnë humbjen duke u shtrirë më gjatë në kohë.