Këtë vit maturantët nuk do të kenë mundësi që të festojnë mbrëmjen e maturës. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një videomesazh me pyetje përgjigje për maturantët.

“Për fat të keq jo, mbrëmjet e maturës nuk do të lejohen. Janë festa që nuk mundësojnë distancimin social mes nxënësve, kështu që sivjet ato duhet të anulohen dhe gjejnë forma të tjera për të festuar”, u shpreh ministrja Besa Shahini.

Sa i takon përmbajtjes së provimit të sivjetshëm të maturës, Shahini njofton se duke filluar nga data 4 maj do të ketë komunikime të përditshme nga drejtorja e Qendrës së Shërbimeve Arsimore Rezana Vrapi.

Ndërkohë, ajo shprehet se “paralelisht, platforma akademi.al ka xhiruar pyetje dhe zgjidhje të detyrave për provimet kryesore në matematikë dhe shkenca, të cilat do t’i transmetojnë në RTSH. Kështu që, jam e bindur që sivjet do të jeni më të përgatitur se kurrë më parë për të bërë provimin e maturës”.

Pyetjes së një nxënësi, i cili tha se ka frikë të kthehet në shkollë, Shahini iu përgjigj:

“Kthimi në shkollë nuk është i detyrueshëm. Ne po i hapim shkollat për maturantët ekskluzivisht për shkak se ju keni kërkuar që të keni konsultime me mësuesit tuaj përpara se të bëni provimin e maturës. Ndaj, nëse ndiheni që mund të bëni provimin e maturës pa e bërë këtë konsultim, ju mund të qëndroni në shtëpi gjatë kësaj kohe, të punoni individualisht, por duhet të njoftoni drejtorin e shkollës para 11 majit, në mënyrë që të planifikojmë uljen e nxënësve nëpër klasa dhe distancimin social për ata që shkojnë në shkollë”.